Kërkohet angazhim më i madh në përfundimin e lëndëve që dalin nga kontrata kolektive

Kërkohet angazhim më i madh në përfundimin e lëndëve që dalin nga kontrata kolektive

Gjilan, 2 nëntor 2023 – Kryetari e Gjykatës Themelore në Gjilan, z. Venhar Salihu, ka pritur në takim Kryetarin e Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Rexhepi, Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj, dhe z. Afrim Shala, Kryetar i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024.

Në këtë takim, morën pjesë udhëheqësit e Departamenteve, gjyqtarët e Departamentit për Krime të Rënda, Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal dhe Civil dhe mbikëqyrësja e Degës në Kamenicë.

Kryetari i Gjykatës Supreme, z. Rexhepi, kërkoi nga gjyqtarët angazhim maksimal në zgjidhjen e lëndëve, në veçanti lëndëve nga kontrata kolektive.

Kryesuesi z. Zogaj, inkurajoj gjyqtarët që të vazhdojnë të merren dhe të trajtojnë edhe lëndët e reja, në mënyrë që të përmirësohet edhe administrimi apo vënia e drejtësisë në vend.

Kryetar i Komisionit z. Shala Gjyqtari Shala sqaroi se Komisioni për monitorimin e planeve strategjike të KGjK-së ka në fokus monitorimin e rasteve më të vjetra se 24 muaj, të rasteve që kthehen në rigjykim dhe të atyre me prioritet. Monitorimi do të përfshijë secilin rast të tillë dhe punën e secilit gjyqtar.

Në takim u theksua edhe domosdoshmëria që rastet e kthyera në rigjykim të mos trajtohen si lëndë të reja.

Gjatë takimit u diskutua për progresin e gjykatës në zbatim të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025. Diskutimi përfshiu edhe lëndët që janë në fokus të këtij Plani, duke përfshirë ato të kthyera në rigjykim, lëndët që kanë kaluar më shumë se dy vite dhe lëndët e tjera për të cilat duhen ndërmarrë veprime të përshpejtuara.

Gjithashtu, janë vizituar edhe Dega e Gjykatës Themelore në Viti dhe ajo në Novobërdë.