Kryetari Salihu, ka pritur në takim Kryesuesin e KGJK-së, Kryetarin e Komisionit për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe ekspertin nga USAID

Kryetari Salihu, ka pritur në takim Kryesuesin e KGJK-së, Kryetarin e Komisionit për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe ekspertin nga USAID

Gjilan, 21 mars 2023 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Afrim Shala dhe eksperti nga USAID-i, John Ferry, të cilët kanë vizituar Gjykatën Themelore në Gjilan dhe kanë takuar gjyqtarët e kësaj gjykate.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth planeve strategjike si dhe sfidat dhe detyrimet që burojnë nga këto plane.

Me këtë rast Kryesuesi Zogaj dhe Kryetari i Komisionit Shala kërkuan angazhim nga gjithë gjyqtarët në zbatimin e këtyre planeve strategjike.

Kryetari i gjykatës, u zotua se do të trajtojnë me prioritet të gjitha lëndët që janë në fokus të Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025.

Gjithashtu, ka shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe angazhimit të tyre, me qëllim që përmes prioriteteve të përbashkëta të arrihet ngritja e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor.

Në këtë takim, morën pjesë nënkryetari, gjyqtarët Mbikëqyrës të Degëve, udhëheqësi i Departamentit të Krimeve të Rënda dhe gjyqtarët përgjegjës të Divizionit Penal dhe Civil.