Gjilan, 03.11.2022 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit K. R.
Ekziston dyshimi bazuar se i pandehuri në cilësinë e zyrtarit të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Pasjak, i njëjti ka marr substancë narkotike nga i dyshuari F. M. dhe me datë 01.11.2022 rreth orës 14:30, derisa ishte në orarin e punës përmes vrimës së vrojtimit të paraburgosurit S. L. ka arritur t’i jep substancën e lartcekur narkotike, ashtu që pasi që intervenojnë zyrtarët tjerë korrektues tek dhoma e të paraburgosurit gjejnë një qese plasmani me kokainë me peshë prej 2.65 gram, një paketim letër me kokainë në peshë prej 5.15 gram dhe një qese plasmani me marihuanë me peshë prej 8.49 gram.
Me këto veprime i pandehuri K. R., dyshohet se ka kryer veprat penale; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope dhe analoge, dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ngase masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit.