Gjilan, 20 prill 2022 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në mbledhjen e mbajtur sot, me shumicë votash ka emëruar mbikëqyrëse në Degën e Gjykatës Themelore në Kamenicë, gjyqtaren Valbonë Dërvodeli.
Mandati i saj është pesë vite dhe do të ushtrojë këtë pozitë deri në prill të vitit 2027.
Më poshtë po e japim një biografi të shkurtër të kryetarit të zgjedhur:
Valbonë Dërvodeli është gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Dega në Kamenicë.
Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 2007, kurse provimin e Jurisprudencës e kreu në vitin 2011.
Nga viti 2001 deri në vitin 2010, ushtroi detyrën e referentes në Gjykatën Komunale në Kamenicë, ndërkaq nga viti 2010 deri më 2012 ka ushtruar detyrën e administratores së Gjykatës Komunale në Kamenicë.
Po të njëjtin vit është emëruar si gjyqtare në Gjykatën Komunale të Kamenicës.
Në fillim të janarit 2013 ajo u emërua si gjyqtare e Departamentit të Përgjithshëm – Divizioni Penal në Gjykatën Themelore në Gjilan – Dega në Kamenicë, dhe ende vazhdon ta kryej këtë detyrë.
Gjyqtarja gjithashtu gjatë vitit 2000 ka punuar në OSBE si regjistruese e popullsisë.