Gjilan, 31.01.2022 – Paditësit (gjyqtarë) Ramiz Azizi dhe Naser Maliqi kanë ushtruar padi ndaj Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i përfaqësuar nga Ehat Miftaraj – Drejtor Ekzekutiv, Betim Musliut – Kryeredaktor dhe autor i emisionit “Betimi për Drejtësi” dhe ndaj Leonida Molliqaj – Drejtoresh Ekzekutive në Organizatën “QIKA”.
Ngase i padituri Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), përmes emisionit produkt të saj “Betimi për Drejtësi”, i transmetuar në mediumin RTK, me datë 04.12.2021, ka transmetuar emisionin me titull “Seksizmi në vendimin e Gjykatës në Gjilan”, dhe të njëjtën datë emisioni është publikuar në faqen zyrtare “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Gjilanit deri te ushtrimi i padisë kanë ardhur, pasi që kanë qenë anëtarë të trupit gjykues në nxjerrjen e aktgjykimit PKR.nr.200/2014, e që në këtë rast aktgjykimin sipas dispozitave ligjore në fuqi neni 370 lidhur me nenin 369 paragrafi 1 dhe 2 i KPPRK-së, thuhet kur gjykohen rastet nga përbërja e trupit gjykues, arsyetimin e vendimit e përpilon kryetari i trupit gjykues dhe jo anëtarët e trupit gjykues.
Përkundër përgjigjeve të dërguara nga paditësit në adresë të Institutit Kosovës për Drejtësi (IKD), përkatësisht emisionit “Betimi për Drejtësi”, se kanë qenë vetëm anëtarë të trupit gjykues, autorët e emisionit kanë vazhduar të publikojnë fotografi dhe kanë bërë përgjegjës gjyqtarët – anëtarë, me këtë sipas legjislacionit në fuqi kanë bërë fyerje dhe shpifje.
Gjithashtu ushtrimi i padisë është bërë edhe ndaj Organizatës “QIKA”, e cila ka organizuar protestë para ndërtesës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe në vazhdimësi e ka përmendur faljen nga gjykata dhe trupi gjykues, duke atakuar kështu në mënyrë të drejtpërdrejtë integritetin dhe personalitetin e gjyqtarëve.
Paditësit, duke gjetur mbështetje në nenin 19 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes lidhur me nenin 47 paragrafi 1 të LPK-së, në raport me kompetencën territoriale dhe lëndore, pastaj duke gjetur mbështetje në dispozitat e nenit 5.1, 5.2, nenit 14, 15, 16 dhe nenit 4 të Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, lidhur me nenin 136, 182, 183 dhe 190 të LMD-së, si dhe në përputhje të plotë me nenin 252 dhe 253 të LPK-së lidhur me nenin 17 të LCSHF-së, ushtrojnë padi për kompensimin e dëmit material dhe jo material.
Bazuar në ligjet e aplikueshme në vendin tonë, sipas nenit 3 pika a), “Shpifja nënkupton publikimin e një fakti ose deklarate të pavërtetë të cilën publikuesi e din ose është dashur të dijë se fakti dhe deklarata është e pavërtetë, kuptimi i së cilës dëmton reputacionin e një personit tjetër”.
Dispozita neni 5 paragrafi 1 ka paraparë “Një person është përgjegjës për shpifje ose fyerje në qoftë se ai/ajo ka kryer ose përhapur shprehjen e shpifjes ose fyerjes përveç nëse është konstatuar njëra nga përjashtimet e përgjegjësisë në pajtim me këtë ligj”.
Ndërsa neni 5 paragrafi 3 ka paraparë “Kur shpifja ose fyerja ka të bëjë me një çështje të interesit publik ose kur personi i shpifur ose fyer është ose ka qenë zyrtar publik ose është kandidat për një pozitë publike, mund të ketë përgjegjësi për shpifje ose fyerje vetëm nëse autori ka ditur se informacioni ka qenë i rrejshëm ose ka vepruar me mospërfillje të pamatur për vërtetësinë e tijë”.