Gjilan, 21.10.2021 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit B. B.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 19 tetor 2021, në Gjilan, me qëllim të përftimit pasuror, dyshohet se ka prodhuar dhe vënë në qarkullim para të falsifikuara të shumës 2 €, gjatë arrestimit nga zyrtarët policorë të njëjtit i janë gjetur 220 x 2€, 20 pako cigare të llojit “Winston”, 24 pako cigare të llojit “Lucky”.
Ndërsa pas bastisjes së shtëpisë në Prishtinë, i janë gjetur edhe 441 pako cigare të llojit “Lucky” dhe 130 pako të llojit “Winston”, të gatshme për tregun e shitjes.
Me këto veprime, i pandehuri B. B. dyshohet të ketë kryer veprën penale falsifikim i parasë vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, aplikimi i masave tjera alternative në këtë fazë të procedurës do të ishin të pamjaftueshme.