Gjilan, 14.09.2021 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve F. O., G. B. dhe I. V.
Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit e sipërshënuar, më 12 Shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje kanë privuar nga jeta të ndjerin B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë, të cilët kanë qenë afër tij, në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprat penale ‘’vrasja e rëndë’’ dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Andaj, sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale, ndërsa propozimin e mbrojtësve që të pandehurit të mbrohen në liri, Gjykata i refuzoi si të pabazuara, duke i konsideruar si të pamjaftueshme për këtë fazë të procedurës.