Gjilan – 20.04.2020 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. E.
Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehurit A. E., ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike, ndaj prindërit të tij, të dëmtuarit Xh. E., ashtu që fillimisht i kërkon para, e më pas shtynë duke e rrëzuar në tokë dhe godet me këmbë, duke shkaktuar frikë, ankth dhe shqetësim emocional në familje.
Me këto veprime i pandehuri A. E., dyshohet të ketë kryer veprën penale dhunë në familje nga neni 248 paragrafi 3, pika 3.2 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të lihet në liri ekziston rreziku i ikjes dhe përsëritja e veprave penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.