Fillojnë punën Noterët e ri për Gjilan, Viti dhe Kamenicë

Fillojnë punën Noterët e ri për Gjilan, Viti dhe Kamenicë

Gjilan, 10.04.2025 – Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, z. Venhar Salihu, ka mirëpritur në takim Noterët të cilët kanë kaluar fazat përfundimtare procedurale pranë Ministrisë së Drejtësisë, dhe të cilët nga data 07.04.2025, fillojnë angazhimin e tyre pranë Zyrave dhe Komunave përkatëse.

Kryetari i Gjykatës iu uroj noterëve të sapo-emëruar suksese dhe punë të mbarë në këtë rrugëtim të ri profesional i cili – siç u shpreh Kryetari është i një rëndësie të veçantë dhe kontributdhënës në mbarëvajtjen e proceseve juridike në komunat në të cilat janë emëruar.

Noterët e sapo-emëruar, në prani të Kryetarit të Gjykatës, kanë bërë deponimin e vulave, vulave të thata dhe nënshkrimeve, ashtu siç legjislacioni në fuqi përcakton. Mbi këtë bazë, Kryetari i Gjykatës ka nxjerrë vendime për secilin prej tyre me të cilat është aprovuar kërkesa për deponim, është lejuar dhe vërtetuar deponimi.

Noterët e sapo-emëruar të cilët kanë bërë deponimin e lartpërmendur e që kanë filluar punën janë:

Fadil Sinanaj, Haki Haziri, dhe Endrit Ajeti janë për juridiksionin e Komunës së Gjilanit, Liridona Sadiku, Adnan Imeri për Komunën e Vitisë, ndërsa Gentiana Morina, Yllka Malaja – Kallaba dhe Erdon Gjinolli për Komunën e Kamenicës.