Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. I., ndërsa refuzohet kërkesa e prokurorisë për të pandehurën B. M.
Ekziston dyshimi bazuar me datë 27 gusht 2019, tek i pandehuri është gjetur një qese e narkotikëve llojit “heroinë”, në sasi prej 3.9 gramë.
Me këto veprime i pandehuri A. I., ka kryer veprën penale ‘’posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që është një recidivist dhe masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin normal të procedurës penale.
Ndërkohë, gjyqtari ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për të pandehurën B. M., pasi që ka konsideruar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit nuk është e bazuar.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.