Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve G. V., S. K., G. E., F. V. dhe A. SH. Ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2019, i pandehuri G.V., në pikën kufitare Dheu i Bardhë,…
Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurve G. V., S. K., G. E., F. V. dhe A. SH.
Ekziston dyshimi i bazuar se më 12 prill 2019, i pandehuri G.V., në pikën kufitare Dheu i Bardhë, me qëllim të përfitimit pasuror, ka tentuar që të pandehurit F.V. dhe A.SH., me veturën e tij t’i transportonte në Zvicër, mirëpo me rastin e kontrollimit në pikën kufitare, është konstatuar se të njëjtit posedonin dokumente të falsifikuara.
Në këtë mënyrë, i pandehuri G.V., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’kontrabandimi me migrantë’’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, të pandehurit S.K., G.E., F.V., dhe A.SH., dyshohet që më 10 prill 2019, te qendra tregtare ‘’Jora Center’’, afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, me qëllim të përfitimit pasuror dhe shfrytëzimit të dokumentit si origjinal, kanë ndryshuar dhe kanë përdorur dokumentet e falsifikuara si origjinale, në atë mënyrë që të pandehurit F.V. dhe A.SH., me dije i kanë përdorur letërnjoftimet e falsifikuara italiane, të cilët i kanë blerë nga 1300 – 1500 euro, nga i pandehuri G.E., të cilat i njëjti i kishte siguruar nga i pandehuri S.K.
Me këto veprime, të pandehurit S. K., G. E., F. V. dhe A. SH., dyshohet që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’falsifikim i dokumentit’’ të KPRK-së.
Gjatë bastisjes të dyshuarit S.K., i’u është gjetur edhe një armë zjarri, i cili ngarkohet me veprën penale ‘’mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që po të caktohej ndonjë alternative do të mund pengohej zhvillimi i procedurës penale.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.