Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve D. B., B. M. dhe B. D., duke i shqiptuar secilit veç e veç dënim me nga shtatë (7) muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumë prej 200 (dyqind) euro.
Të akuzuarit nga Komuna e Prizrenit me datë 09.01.2017 rreth orës 04:20 në barnatoren “Iris Ilirika” në Gjilan, në bashkëveprim, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasurorë për vete apo personin tjetër, kanë tentuar me mjete të forta të hapin barnatoren, por pengohen nga një person.
Të njëjtit pas disa minutash prapë tentojnë me forcë, por që nuk mund të hapin derën e lokalit.
Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë në tentativë nga neni 327 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 lidhur me 31 e 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas pranimit të fajësisë, të akuzuarit janë gjykuar me nga 7 muaj burgim dhe 200 euro gjobë.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.