Reagim i Gjykatës Themelore në Gjilan ndaj dy lajmeve të portalit ‘Rajonipress’

Reagim i Gjykatës Themelore në Gjilan ndaj dy lajmeve të portalit ‘Rajonipress’

Gjilan, 12 qershor 2024 – Për hir të së vërtetës dhe opinionit publik, Gjykata Themelore në Gjilan reagon ndaj artikujve të portalit ‘Rajonipress’, të datës 14.05.2024 me titull “Aferat e përditshme të gjykatësve e ulin përtokë anën morale e profesionale të Gjykatës së Gjilanit” dhe atë të datës 08.06.2024, “Gjykata e Gjilanit në fundin e besueshmërisë, aferat dhe skandalet e fundit shenjë e keqe dhe vrimë e zezë në drejtësinë kosovare”.

Artikulli/lajmi i datës 14.05.2024, përmban konstatime të pabazuara në fakte dhe në raporte të organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë. Ky lajm përmban mendime/opinione të gazetarit, duke rënë ndesh me Kodin Etik të Mediave të Shkruara të Kosovës (KEMSHK), përkatësisht Kapitullin II – Raportimi i së vërtetës.

Gjithashtu gazetari bie ndesh edhe me Kapitullin IV – E drejta për t’u përgjigjur të KEMSHK, pasi që nuk kontakton apo nuk dërgon pyetje në adresë të institucionit për të marrë edhe një përgjigje nga vet institucioni dhe për të ardhur deri tek e vërteta, por shkrimi përfundon me mendimin e tre ‘qytetarëve’, të cituar vetëm me emra (pa mbiemër).

Ngjashëm është vepruar edhe me titullin e artikullit/lajmit të datës 08.06.2024, i cili përmban një konstatim të pavërtetë, të pabazuar në asnjë fakt të vetëm apo citim të ndonjë organizate kredibile, por bazohet vetëm në opinionin/mendimin e vet gazetarit.

Edhe ky artikull/lajm përmban të pavërteta për të cilat autori nuk ka kërkuar informacione nga gjykata për t’i vërtetuar duke rënë sërish ndesh me Kapitullin II dhe IV të KEMSHK-së.

Gjykata Themelore në Gjilan, mbetet e përkushtuar në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke ofruar qasje në dokumente publike, si dhe përgjigje për mediat, shoqërinë civile dhe qytetarët. Gjithashtu duke qenë të hapur për palët, çdo ditë pune.

Andaj, lajmet e ditëve të fundit nga portali ‘Rajonipress’, përveç se janë të pavërteta, duket qartë se janë të porositura me tendencën për të dëmtuar imazhin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

Sa i përket shkeljeve të mundshme disiplinore nga ana e gjyqtarëve, kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, si autoritet kompetent ka iniciuar raste, kurdo që ka pasur ankesa nga qytetarët apo përfaqësues të tyre dhe faktet e paraqitura në ankesë i kanë vërtetuar me prova ndaj atyre gjyqtarëve është iniciuar procedurë disiplinore. 

Kurse, pretendimet e ngritura nga persona jokredibil ndaj kryetarit të Gjykatës për shkelje penale dhe disiplinore janë hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSKR), gjithashtu Prokuroria e Apelit ka refuzuar ankesën e këtyre personave. Të njëjtat pretendime janë refuzuar si të pabazuara edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Ndaj, inkurajojmë të gjitha mediat që të na adresojnë çdo pyetje/kërkesë në mënyrë që bashkërisht t’i shërbejmë të vërtetës.

Për artikujt/lajmet në fjalë Gjykata ka dresuar ankesë në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).