Gjilan, 19 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit R. M., M. K., A. A. dhe S. P.
Të akuzuarit R. M., M. K. dhe A. A. për dispozitivin II të aktgjykimit janë shpall fajtor, pasi që i akuzuari R. M. në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prizrenit, M. K. në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Administratës dhe A. A. në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër të kësaj komune, kanë kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës ose autorizimit sipas nenit 422/1/2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjithashtu i akuzuari R. M. dhe S. P. për dispozitivin III të aktgjykimit janë shpall fajtor, pasi që R. M. në cilësinë e Kryetarit të Komunës dhe S. P. në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinorë, kanë kryer veprën penale shpërdorimi i pozitës ose autorizimit sipas nenit 422/1/2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, të akuzuarin R. M. për dispozitivin e aktgjykimit II dhe III i shqipton një dënim unik prej 1 (një) viti burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari për periudhën e verifikimit prej 2 (dy) viteve nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën dënimi me kusht mund të revokohet.
Të akuzuarin M. K. për dispozitivin e II të aktgjykimit e dënon me kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve me kusht që brenda periudhës së verifikimit prej një (1) viti të mos kryej vepër tjetër penale.
I akuzuari A. D. është shpall fajtor për dispozitivin e II të aktgjykimit dhe gjykata ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 5 (pesë) muajve, me kusht që brenda periudhës së verifikimit prej 1 (një) viti të mos kryej vepër tjetër penale.
I akuzuari S. P. është shpall fajtor për dispozitivin e III të aktgjykimit dhe është dënuar në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj burgim, me kusht që brenda periudhës së verifikimit prej 1 (një) viti të mos kryej vepër tjetër penale.
Trupi gjykues të akuzuarin R. M., ka liruar nga akuza për dispozitivin I të aktgjykimit për veprën penale shpërdorimi i pozitës ose autorizimit në pajtim me nenin 422/1/2 të KPRK-së.
Ndërkohë për dispozitivin IV të aktgjykimit, veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit sipas nenit 339/2 të Kodit Penal të Kosovës (KPK), gjykata ka refuzuar akuzën për të akuzuarit R. M., M. K. dhe A. T.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.