Gjilan, 20.05.2024 – Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Kryetari i Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi 2022 – 2025, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022 – 2024, Afrim Shala dhe eksperti nga USAID, John Ferry, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë kanë vizituar sot Gjykatën Themelore në Gjilan, me ç’rast janë pritur nga Kryetari i kësaj gjykate, Venhar Salihu, gjyqtarët e gjitha departamenteve dhe mbikëqyrësit e degëve.
Kryesuesi Zogaj, ka theksuar se është jashtëzakonisht i kënaqur me efikasitetin e Gjykatës Themelore në Gjilan, duke shtuar se kjo gjykatë po shndërrohet në gjykatën model në kuptimin e përgjithshëm se si duhet të funksionoj dhe operojë një institucion, në kuptim të angazhimin secilit, koordinimit, ambientit, përgjegjësive të krejt dimensioneve, por në mënyrë të veçantë përformancës së gjykatës dhe të efikasitetit të dy kuptimeve, si për lëndët e vjetra, por edhe për efikasitetin në përgjithësi, sepse dyjat janë të rëndësishme.
Për më tepër, ai në emër të KGJK-së ka falënderuar dhe përgëzuar gjithë gjyqtarët, menaxhmentin dhe administratën, që sipas tij kanë mbërri me dëshmuar që një koordinim i mirë dhe një vullnet i jashtëzakonshëm që u tregua në këtë rast ka dhënë rezultate të dukshme.
Eksperti nga USAID, John Ferry ka deklaruar se është i befasuar me rezultate e arritura të Gjykatës brenda një viti kalendarik, ku përgëzoj kryetarin për menaxhimin e këtij institucioni, duke kërkuar që praktikat të cilat janë zbatuar në këtë gjykatë të shërbejnë si model edhe për gjykatat e tjera.
Kryetari i Komisionit, Afrim Shala, ka thënë se është i kënaqur me përfundimin e lëndëve të vjetra si në lëminë civile ashtu edhe atë penale, duke shtuar se nga vitit 2023 ka një zvogëlim të lëndëve të vjetra dhe një përformancë shumë të mirë nga menaxhmenti, gjyqtarët dhe stafi tjetër mbështetës.
Kryetari Salihu falënderoj ekspertin e USAID-it, z. Ferry, Kryesuesin Zogaj dhe gjyqtarin Shala për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme të KGJK-së dhe theksoi që një angazhim i tillë do të vazhdojë edhe më tutje në efikasitetin e zgjidhjes së lëndëve të të gjitha natyrave.
Gjithashtu, në takim kanë marr pjesë anëtarët e Komisionit për kontrollimin dhe monitorimin e kualitetit të të dhënave dhe barazimin e lëndëve gjyqësore në SMIL, si dhe administratori, ndihmës administratorët e degëve, zyrtarët e shkrimoreve, zyrtarët e IT-ve dhe zyrtari i statistikave.