Gjilan, 24 dhjetor 2018 – Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi ka pritur në takim Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Malokun, Drejtoreshën e Stacionit Regjional të Gjilanit, Elmina Mahmuti dhe komandantët e regjioneve.
Në këtë takim janë shtjelluar të gjitha çështjet, që kryesisht lidhen me punët e përbashkëta të këtyre institucioneve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë, dinamikës së zhvillimeve të fundit që po ndodhin në këtë rajon.
Kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi fillimisht ka falënderuar drejtuesit e Prokurorisë dhe komandantët e gjitha stacioneve policore në regjionin e Gjilanit, për bashkëpunimin e deritashëm, duke shtuar se falë këtij bashkëpunimi Gjykata ka treguar një efikasitet jashtëzakonisht të mirë në zgjidhjen e lëndëve.
Nga ana tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë, Jetish Maloku, ka theksuar se falë koordinimit në mes tyre, në këtë regjion, edhe statistikat tregojnë se kriminaliteti në përgjithësi është në rënie.
Për më tepër, ai ka shtuar se nga ky bashkëpunim i ndërsjellët, rezultatet tregojnë për një sukses të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.
Drejtoresha Elmina Mahmuti ka përmendur sfidat që ballafaqohet institucioni i policisë, mirëpo ka shprehur gatishmërinë që të punohet sa më shumë për eliminimin e barrierave mes policisë, gjykatës dhe prokurorisë.
Një kërkesë nga drejtuesit e policisë ka qenë edhe koordinimi sa më i madh mes institucioneve për disa lloje të veprave penale të ndjeshme.