Gjilan, 03 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit F. H. dhe M. K. në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe dënim me gjobë prej 600 (gjashtëqind) euro.
Të pandehurit me datë 11.09.2018, në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit, tentojnë të hapin me forcë derën e marketit “Amiri”, mirëpo nuk arrin, pasi që hetohen nga fqinji i pronarit të marketit dhe vepra mbetet në tentativë.
Po të njëjtën ditë në fshatin Lladovë të Komunës së Gjilanit, me dashje dhe me qëllim që të i sjellin vetes përfitim të kundërligjshëm, me forcë hapin derën e marketit “Buli”, duke vjedhur mall dhe para në vlerë 1200 euro, duke vazhduar më pas edhe tek marketi “Besa”, duke vjedhur shuma të parave dhe të gjësendeve.
Me këto veprime të akuzuarit në bashkëveprim kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë në tentativë dhe veprën penale në vazhdim vjedhje e rëndë në bashkëveprim, të sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjykata pas shqyrtimit të gjitha shkresave të lëndës dhe dëgjimit të dëshmitarëve, ka shqiptuar një dënim unik për këto dy vepra, duke i dënuar me nga 1 vit e 6 muaj burgim, si dhe gjobë në shumën prej 600 euro.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.