Gjilan, 26 nëntor 2018 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej tridhjetë (30) ditëve të pandehurit SH. Z..
Me datë 24.11.2018, në ora 20:15, gjatë një kontrolli të Policisë së Kosovës të pandehurit në podrumin e shtëpisë janë gjetur në një çantë pesë paketime me substancë narkotike të llojit “heroinë”, në sasi prej 5.1 kg.
Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtari i procedurës paraprake, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Sh. Z., pasi që për këtë vepër parashihet një dënim mjaft i lartë dhe po që se i njëjti gjendet në liri, mund të arratiset për të i ikur përgjegjësisë.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi, në Gjykatën e Apelit.