Gjilan, 16 nëntor 2018 – Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurve O. J., D. J. dhe L. J.
Të pandehurit O. J. dhe D. J. dyshohet se me datë 14.11.2018 në ora 14:30 minuta në fshatin Lladovë të Komunës së Gjilanit, pas një mosmarrëveshje rreth një muri, me të pandehurin L. J., fillimisht kanë filluar të fyhen në mes vete, e më pas i pandehuri O. J. me një shufër metalike godet të pandehurin L. J. në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, më pas ndërhynë edhe i pandehuri D. J., i cili me një lopatë godet po ashtu të pandehurin L. J., i cili nga goditjet humb vetëdijen në tokë.
Më pas i pandehuri L. J. arrin të marr shufrën nga i pandehuri O. J. dhe godet këtë të fundit në fytyrë me ç’rast thyen hundën dhe dhëmbët e përparmë, me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor nga neni 189 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 nënparagrafin 1.3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit në fjalë, pasi që njëjtit janë familjarë dhe po të gjenden në liri do të ndikonin tek dëshmitarët.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.