Gjilan, 14 shtator 2018 – Drejtuesit e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Prokurorisë Themelore dhe Drejtorisë së Stacionit Rajonal në Gjilan, kanë mbajtur një takim të premten, për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe eliminimin e barrierave mes këtyre institucioneve.
Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Ramiz Azizi fillimisht ka falënderuar drejtuesit e Prokurorisë dhe komandantët e gjitha stacioneve policore në regjionin e Gjilanit për bashkëpunimin e deritashëm.
I pari i Gjykatës ka kërkuar që ky bashkëpunim të rritet edhe më shumë, në mënyrë që qytetari të ndihet i sigurt në këtë regjion, me theks të veçantë ka përmendur dukurinë e dhunës në familje, duke shtuar se kjo çështje është marr seriozisht dhe është caktuar një gjyqtar për trajtimin e këtyre lëndëve.
Nga ana tjetër Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, i cili ka qenë edhe nikoqir i këtij takimi, ka thënë se edhe institucioni që ai drejton ka ndërmarr hapat në këtë drejtim, duke caktuar dy prokurorë për rastet e dhunës në familje.
Ndërkohë Komandanti i Njësisë së Hetimeve në Stacionin Policor në Gjilan, Remzi Azemi ka përmendur si dukuri shqetësuese përdorimin e substancave narkotike tek të rinjtë, si dhe veprën penale të “grabitjes”, që kohët e fundit janë rritur dukshëm rastet e tilla.
Dakordim i të gjithëve ishte që me një koordinim më të mirë mes institucioneve rezultatet do të jenë edhe më të mira në fushën e sigurisë.