Gjilan – 19.07.2018 – Gjykata Themelore e Gjilanit në këtë gjashtëmujor ka treguar efikasitet në zgjidhjen e lëndëve, njëherë duke i dhënë prioritet lëndëve të korrupsionit dhe dhunës në familje.
Kryetari i Gjykatës, Ramiz Azizi, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka shpalosur të dhënat për këtë gjashtëmujor.
Konkretisht është ndalur tek lëndët e korrupsioni, ku Gjykata i ka dhënë prioritet më shumë.
“Lëndët të kapitullit të korrupsionit është gjatë këtyre gjashtë muajve kemi arritur të zgjidhim 19 lëndë, ndërsa në punë kanë mbetur edhe 35 lëndë, por besoj që shumë shpejt numri i këtyre lëndëve do të zvogëlohet edhe më shumë, pasi që janë lëndë me prioritet. Dënimet për këto lëndë janë dënime me burg, dënime me kusht, si dhe ka edhe aktgjykime liruese”, tha ai.
Gjykata Themelore e Gjilanit, së bashku me Degët e saja në Viti, Kamenicë dhe Novobërdë ka shënuar progres në zgjidhjen e numrit të lëndëve.
“Ky institucion trashëguar në fillim të vitit 20.331 lëndë, gjatë këtyre gjashtë muajve ka pranuar 6.571 lëndë, që do thotë me numrin e lëndëve të trashëguara dhe të pranuara është gjithsejtë 26.902 lëndë. Gjatë kësaj periudhe kohore është arritur të zgjidhen 8.493, ndërkohë kanë mbetur në punë edhe 18.409 lëndë”, tha Azizi.
Nga numri i lëndëve të pranuara dhe të kryera efikasi teti është 129 %, në bazë të kësaj shihet edhe rënia e numrit të lëndëve nga 20.331 në 18.409.
Në veçanti në Departamentin e Krimeve të Rënda janë trashëguar 308 lëndë nga vitet paraprake, janë pranuar 137, do të thotë në total 445 lëndë. Për gjashtë muaj janë kryer nga gjykatësit 147 lëndë, kanë mbetur edhe 298 lëndë në punë, efikasiteti i kryerjes së lëndëve është 107 %.