Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori viziton Gjykatën Themelore të Gjilanit

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Xhezair Zaganjori viziton Gjykatën Themelore të Gjilanit

GJILAN – Një delegacion nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë i kryesuar nga Kryetari Xhezair Zaganjori dhe Tom Ndreca – gjyqtar i Gjykatës së Lartë, kanë vizituar Gjykatën Themelore të Gjilanit, me këtë rast janë pritur nga kryetari i kësaj gjykate, Mr. Sc. Zyhdi Haziri, i shoqëruar me disa gjyqtarë.

 

Delegacionin nga Shqipëria e ka shoqëruar edhe Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

 

Fillimisht Kryetari Haziri ka falënderuar krerët më të lartë të drejtësisë së Shqipërisë për vizitën në Kosovë dhe në veçanti Gjykatën Themelore të Gjilanit, dhe më pas ka shpalosur të arriturat e gjykatës.

 

“Ndjehemi të privilegjuar për vizitën tuaj dhe njëherët ju falënderoj në emër të gjykatës tonë. Ne si Gjykatë Themelore e Gjilanit, së bashku edhe me tri degë, jemi duke bërë përpjekje që çdo ditë të rrisim efikasitetin në punë dhe të rrisim besueshmërinë e qytetarëve ndaj gjyqësorit të vendit. Ne si gjykatë që dy vite shpallemi si gjykata më e suksesshme në nivel të vendit dhe kjo është falë angazhimit të gjyqtarëve dhe stafit të kësaj gjykate”, tha Kryetari Haziri.

 

Për më tepër ai ka shprehur interesimin për bashkëpunim dhe shkëmbimin e përvojave më shumë me gjyqësorin nga Shqipëria.

 

Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Z. Xhezair Zaganjori vlerësoj punën në sistemin gjyqësor të Kosovës, duke kërkuar më shumë bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e drejtësisë.

 

“Unë ndodhem për një vizitë të shkurtër në kuadër të një bashkëpunimi që kemi me Gjykatën Supreme edhe me Gjykatën Kushtetuese, sepse ne kur vijmë e ndjejmë veten sikur familjen tonë dhe jemi në shtëpinë tonë. Por në radhë të parë ne kemi edhe interesat e përbashkëta, sot në kushtet e globalizimit, në kushtet e rrugëtimit të përbashkët drejt mekanizmave Euro-Atlantik, ne kemi detyrën e madhe në kuadër të kërkesave që ka bashkësia ndërkombëtare për tu integruar dhe për të bërë detyrat e shtëpisë, ato që konsiderohen parime me vlerë themelore, si parimi i shtetit të së drejtës dhe demokracisë, respektimit të drejtave të njeriut themelore, jemi të detyruar që aktivisht të punojmë të gjithë së bashku”, tha Zaganjori.

 

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani tha se qëllimi i vizitës në Gjykatën Themelore të Gjilanit është profesionalizmi dhe efikasiteti i kësaj gjykate.

 

“Ne kemi pasur një arsye që kemi ardhur këtu, sepse është një nga gjykatat më të mira në territorin e Kosovës edhe sa i përket efekteve të punës dhe profesionalizmit, do të thotë kjo gjykatë qëndron lartë në piramidë, në aspektin e punës edhe azhuritetit dhe cilësisë”, tha Kryetari Hasani.

 

Pas takimit Kryetari Haziri dhe kryetari Zaganjori kanë shkëmbyer disa dhurata.

 

Krejt në fund delegacioni ka vizituar objektin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.