Gjyqtari Ilmi Dalipi ishte një profesionist i madh

Gjyqtari Ilmi Dalipi ishte një profesionist i madh

GJILAN – Gjyqtari i departamentit të krimeve të rënda të Gjykatës Themelore Gjilan, Ilmi Dalipi nga sot është pensionuar. Me këtë rast Kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit, Zyhdi Haziri ka çmuar lartë punën dhe profesionalizmin e gjyqtarit për tërë këto vite në sistemin e drejtësisë.

 

“Gjyqtari Ilmi ishte një profesionist i madh dhe puna e tij disa vjeçare tregon më së miri përkushtimin tij në drejtësi. Ai jo vetëm që ishte një punëtor i madh, por edhe një kolegë i shkëlqyer, gjithmonë duke i ndihmuar edhe gjyqtarët e rinjë. Ne na mbetet vetëm të i dëshirojmë gjyqtarit një shëndet të mirë dhe gëzimin e pensionit të tij”, tha kryetari Haziri.

 

Kryetari Haziri gjithashtu ka ndarë një mirënjohje në emër të Gjykatës Themelore të Gjilanit dhe një dhuratë, për gjyqtarin Ilmi Dalipi.

 

Ky i fundit ka ushtruar edhe detyrën e zëvendëskryetarit të Gjykatës, ndërsa nga sot në vend të tij është emëruar zëvendëskryetar gjyqtari, Afrim Shala.

 

Më poshtë ju japim një biografi të shkurtër të gjyqtarit të pensionuar:

 

“Ilmi Dalipi, Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1976, ndërsa provimin e jurisprudencës e përfundoi tre vite më vonë. Praktikën profesionale e ka kryer në Gjykatën e Qarkut në Gjilan në periudhën 1977-1979. Po të njëjtin vit i’u bashkëngjit sistemit gjyqësor duke filluar punën si gjyqtar në Gjykatën Komunale për Kundërvajtje në Gjilan, ku dhe punoi deri në vitin 1981. Kurse nga viti 1981 e deri në vitin 1983 ai kaloi në Gjykatën Komunale të Gjilanit. Në vitin 1983 gjyqtari Dalipi u emërua gjyqtar në Gjykatën e Qarkut pozitë të cilën e mbajti për 10 vite me radhë. Përveç punës në gjykatë, nga viti 1993 deri në vitin 1999 ai punoi edhe si avokat. Mirëpo detyrës së gjyqtarit iu kthye në vitin 2000 në Gjykatën e Qarkut deri në vitin 2012. Së fundmi ai u emërua si gjyqtar i departamentit për krime të rënda në Gjykatën Themelore të Gjilanit me datë 01.01.2013”.