Gjykata Themelore Gjilan liron ish-kryetarin e Komunës së Kamenicës

Gjykata Themelore Gjilan liron ish-kryetarin e Komunës së Kamenicës

GJILAN – Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka shpallur Aktgjykim Lirues ndaj ish – kryetarit të Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli.

 

Personi në fjalë ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ngase me datë 19.02.2013, sipas saj, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, ose shkaktimit të dëmit të personit tjetër, ashtu që i dyshuari ka lidhur kontratë me nr. 02-1305, me IPKO Telecomunications LLC, me seli në Prishtinë për shërbimet e telefonisë mobile, me çmim prej 1.665 Euro për muaj dhe gjatë vitit kalendarik 19.980 Euro, duke i anashkaluar të gjitha procedurat e prokurimit.

 

Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, nuk ka arritur të vërtetoj se i akuzuari ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 

 

Palët  gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.