Mesazh nga Kryetari i Gjykatës
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sistemi gjyqësorë i Kosovës pas vitit 1999 ka filluar ri-funksionalizimin e plotë dhe reformimin rrënjësor, duke kaluar nëpër një tranzicion jo të lehtë.
Mirëpo, tash mund të konkludojmë se pas këtyre viteve të kaluara, sistemi i drejtësisë ka arritur një shkallë mjaftë të lartë të zhvillimit, si në aspektin profesional ashtu edhe atë teknik.
Ne si institucion kemi vetëm një mision dhe ai është ndarja e drejtësisë për të gjithë qytetarët, duke respektuar të drejtat, liritë dhe dinjitetin e tyre përmes trajtimit të barabartë dhe vendosjes me ndershmëri, paanësi, profesionalizëm, në kohë të arsyeshme dhe duke u bazuar në ligj.
Unë me stafin tim mbetem i përkushtuar edhe në rritjen e efikasitetit të Gjykatës tonë dhe për këtë mund të ju njoftoj që çdo fundvit dalim me rezultate pozitive në zgjidhjen e lëndëve.
Ideja dhe qëllimi ynë është që nëpërmjet kësaj faqe të ofrojmë një informacion të plotë mbi, funksionimin dhe aktivitetin e këtij institucioni, pasi ndjejmë një detyrim qytetar për ta bërë Gjykatën Themelore të Gjilanit një institucion transparent, të afërt, të prekshëm dhe sa më të besueshëm për publikun.
Në shoqërinë tonë demokratike, çdo gjë që i përket funksionimit të institucioneve publike dhe për rrjedhojë ndikimi i aktivitetit dhe veprimtarisë së tyre në jetën e individit dhe të shoqërisë, mundet dhe duhet jetë objekt komunikimi. Informacioni prodhon njohjen dhe njohja favorizon pjesëmarrjen aktive në jetën demokratike të secilit prej nesh.
Përditësimi i vazhdueshëm i faqes së internetit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, duke e pasuruar atë me më shumë instrument të rinj për kërkimin e informacionit, është në harmoni me nevojën e modernizimit të imazhit të drejtësisë dhe me përpjekjet për të qenë në të njëjtin hap me zhvillimet e teknologjisë së informacionit.
Për gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Gjilanit transparenca e veprimtarisë së saj mbetet një angazhim kryesor dhe ky është një prej motiveve më serioze të përpjekjeve tona për të përfshirë në këtë faqe interneti një informacion sa më të dobishëm, i cili do t’i vinte në ndihmë të gjithë vizitorëve që dëshirojnë ta konsultojnë atë me publikun, duke veçuar këtu mediat që, në pjesën më të madhe të rasteve, janë përcjellëset më të shpejta të vendimeve tona tek opinioni publik.
Faleminderit për vëmendjen Tuaj!
Venhar Salihu
Kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan