GJILAN – Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurës M. Sh. dhe H. Z., duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, ndërsa ka aprovuar kërkesën e prokurorisë për masën e arrestit shtëpiak për të pandehurën V. K..
Të pandehurat M. Sh. dhe H. Z. shqiptare, shtetase të Republikës së Kosovës, dyshohet se kanë veprat penale në bashkëkryerje: trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor nga neni 260 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 2 e 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe mosdhënia e ndihmës mjekësore nga neni 261 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Ndërsa e pandehura V. K. shqiptare, shtetase e Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer veprën penale: mosdhënia e ndihmës mjekësore nga neni 261 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit.