GJILAN – Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka shpallur Aktgjykim Lirues ndaj tre ish – zyrtarëve të Komunës së Kamenicës dhe një afaristi. Të liruarit nga akuza janë ish – kryetari i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, menaxheri i zyrës së prokurimit publik, Sadik Thaqi, mbikëqyrësi i punimeve Izet Thaqi dhe pronari i operatorit ekonomik “Besniku” Ali Kastrati.
Personat në fjalë ishin akuzuar nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ngase në muajin Tetor të vitit 2011, sipas saj, në projektin për pastrimin e Lumit “Kriva Reka”, kanë shpërdorë pozitën zyrtare dhe autorizimin me qëllim që vetit apo operatorit ekonomik “Besniku” ,fitues i tenderit t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore. Kjo në atë mënyrë që me rastin e implementimit të punimeve, kanë lejuar ngritjen e vëllimit të punimeve, ashtu që në vend të shumës së paraparë në paramasë prej 138.248,80 Euro, është bërë pagesa prej 145.000,00 Euro, duke rritur shumën për 6.751,20 Euro.
Trupi gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda, nuk ka arritur të vërtetoj se të tre ish zyrtarët e komunës kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa pronari i operatorit ekonomik veprën penale keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi nga neni 290 paragrafi 1 nënparagrafi 1.2 të KPRK-së.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.