Broshurat në shkrimin Braille me informata për gjyqësorin tani edhe në Gjilan

Broshurat në shkrimin Braille me informata për gjyqësorin tani edhe në Gjilan

GJILAN – Sot, Programi për Sundimin Efektiv të Ligjit (EROL) i USAID-it në bashkëpunim me Gjykatën Themelore të Gjilanit, organizoi një takim me përfaqësues të komunitetit të të verbërve në rajonin e Gjilanit. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i një serie me broshura me informacion praktik për sistemin gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë, të shtypura në shkrimin Braille për t’iu mundësuar të verbërve dhe personave me shikim të dobësuar të mësojnë më shumë për sistemin e drejtësisë në vend dhe për realizimin e të drejtave të tyre.

 

Takimi u zhvillua në zyrat e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës – Dega e Gjilanit dhe u hap nga Kryetari i kësaj dege, Bajram Spahiu, i cili falënderoi USAID-in për këtë nismë në ndihmë të këtij komuniteti.

 

Në emër të Programit EROL të USAID-it foli Zëvendësdrejtoresha Andrea Muto, e cila shpjegoi për nismën e EROL për të shtypur broshura në shkrimin Braille në shqip, serbisht dhe turqisht.  “Me anë të kësaj nisme synojmë të largojmë edhe një barrierë në informacionin për sistemin e drejtësisë dhe të drejtat tuaja. Këto broshura janë pjesë e aktiviteteve që ka ndërmarrë USAID për të fuqizuar qasjen në drejtësi për të gjithë. Gjithashtu, USAID ka renovuar ndërtesat e gjykatave në mbarë vendin, ku tani ka më shumë lehtësira për personat me aftësi të kufizuara si rampa, sportele të ulëta, më shumë hapësirë në sallat e gjykimit për personat në karrige me rrota dhe ndihmesa të tjera”, tha Znj. Muto.

 

Më tej, ajo theksoi se programi EROL tashmë ka angazhuar në punë praktike dy student të juridikut që janë dhe anëtarë të shoqatës së të verbërve dhe se përpjekjet e USAID-it për të përmirësuar qasjen në drejtësi për të gjithë grupet në nevojë do të vazhdojnë pa ndërprerë.