Gjilan – Ushtruesi i Detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, Afrim Shala ka pritur sot në gjykatë, një grup të studentëve të vitit parë të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
Me këtë rast Ushtruesi i Detyrës fillimisht u ka ligjëruar studentëve për organizimin në sistemin gjyqësor të Kosovës, më pas ka prezantuar punën e gjykatës.
Ai ka shtuar se gjyqtarët janë duke punuar shumë për të kthyer besimin në gjyqësor.
“Jemi duke e bërë të pamundurën për të kthyer besimin në gjyqësor. Gjyqtarët e gjykatës tonë punojnë më shumë se gjyqtarët e shteteve të rajonit, mirëpo sfidë për ne mbetet numri i vogël i gjyqtarëve dhe kjo pastaj po e pamundëson zvogëlimin e lëndëve në gjykatë”, ka thënë Shala.
Nga ana tjetër, Arlind Ajvazi Kryetar i Këshillit të Studentëve të Fakulteti Juridik në Universitetin “Kadri Zeka”, ka falënderuar Ushtruesin e Detyrës për mikpritjen dhe ligjëratën e dhënë për studentët.