Për sulm ndaj personit zyrtar të miturit V. K. i caktohet masa e paraburgimit

Për sulm ndaj personit zyrtar të miturit V. K. i caktohet masa e paraburgimit

Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të miturit V. K., ndërsa të atit të tij A. K., masën e arrestit shtëpiak prej një (1) muaji.

 

I mituri V. K. dyshohet se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprën penale sulmi nga neni 187 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

 

Ndërsa i pandehuri A. K. dyshohet se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK – së.

 

I mituri V. K. së bashku me prindin e tij A. K. dyshohet se me datë 07.02.2017, në ambientet e shkollës kanë sulmuar me sëpatë mësimdhënësin Z. Rr., ku është dashur të marr ndihmën mjekësor në Spitalin Regjional të Gjilanit.

 

Gjykata konsideron se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mituri V. K., ndërsa për të pandehurin A. K. masa e arrestit shtëpiak.  

 

Palët kanë të drejtën e kontestimit të këtij Aktvendimi në Gjykatën e Apelit.