GJILAN – Dje një trup gjykues i Gjykatës Themelore në Gjilan, në përbërje nga dy gjyqtarë të EULEX-it dhe një vendor, me Aktgjykimin PKR 135/15, pas seancës se këshillimit dhe votimit, e shpalli fajtor të pandehurin Lirim Jakupi, për një vepër penale të vrasjes së rëndë në tentativë, nga neni 147, paragrafi 10 dhe 11 të KPK-së lidhur me nenin 20 të KPK-së, në lidhje me incidentin e të shtënave me armë në Tetovë kundër policisë maqedone me datë 24.12.2004. Gjatë këtij incidenti, ka mbetur i vrarë një student-shtetas kosovar, si dhe një polic maqedon është plagosur rëndë.
Për këtë vepër u dënua me 6 vite burgim efektiv. Paraburgimi i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Poashtu, lidhur me incidentin e të shtënave me armë kundër policisë maqedone, me datë 24.12.2004 në Tetovë, i pandehuri u lirua nga vepra penale:
– sulm kundër personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në bashkëkryerje, nga neni 317, paragrafi 1 dhe 3 i KPK-së lidhur me nenin 23 të KPK-së, sepse kjo vepër penale është konsumuar nga vepra penale e vrasjes së rëndë në tentativë për të cilën i pandehuri u dënua.
Ndërsa, për veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve në bashkëkryerje, nga neni 328, par. 1, 2, 3 te KPK-së lidhur me nenin 23 të KPK-së, i pandehuri u lirua për paragrafin 1 të nenit 328 (përdorim të armës), për shkak se kjo pikë u konsiderua si e konsumuar nga vepra penale e vrasjes së rëndë në tentativë për të cilën u dënua, ndërsa sa i përket paragrafit 2 (posedim të armës) të të njëjtit nen, kjo u refuzua sepse kjo pikë u gjet se është e përfshirë me Ligjin për Amnisti, dhe për paragrafin 3 nga neni 328 i pandehuri u lirua, sepse nuk u provua që këtë vepër ta ketë kryer duke përdorur një sasi të madhe te armëve.
Me të njëjtin aktgjykim, i pandehuri Lirim Jakupi, në mungesë të provave, është liruar nga vepra penale lidhur me incidentin e të shtënave me armë kundër policisë maqedone, me datë 15.09.2004 në Shkup:
-vrasje e rëndë në tentativë në bashkëkryerje, nga neni 147, paragrafi 4, 5, dhe 10 te KPK-së lidhur me nenin 20 dhe 23 të KPK-së
-shkaktimi i lëndimit të rëndë trupor në bashkëkryerje, nga neni 154, paragrafi 1 dhe 2 i KPK lidhur me nenin 23 të KPK-së
-sulm kundër personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në bashkëkryerje, nga neni 317, paragrafi 1 dhe 3 i KPK-së lidhur me nenin 23 të KPK-së
-mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve në bashkëkryerje, nga neni 328, paragrafi 1, 2, 3 te KPK-së lidhur me nenin 23 të KPK-së
Kundër këtij aktgjykimi, palët e autorizuara kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit në afat prej 15 ditësh, pas pranimit të tij.