GJILAN – Një trup gjykues i Departamentit Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sot ka shpallur aktgjykimin, duke e dënuar të akuzuarin F.M. me 25 (njëzetepesë) viteve burgim, R.M. 13 (trembëdhjetë) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe B. B. 2 (dy) vite e 6 (gjashtë) muaj burgim.
I akuzuari F. M., shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës dyshohet se me datë 14.11.2013, rreth orës 23:30 minuta, në rrugën “Avdullah Tahiri”, pas një konflikti verbal nxjerrë revolen dhe i privon nga jeta dy vëllezërit F. L. dhe A. L.. Po ashtu i akuzuari me qëllim të privimit nga jeta me dashje ka shtënë edhe në drejtim të personave tjerë F. L. dhe A. L. (djemtë e të ndjerit F. L.), ku me këtë rast të dy persona kanë marr lëndime të rënda trupore dhe me këtë ka kryer veprën penale vrasje e rëndë, nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari R. M. me dashje ka tentuar t’i privoj nga jeta të ndjerët F. L dhe A. L. si dhe të dëmtuarin F. L., me ç ka kryer veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 179 paragrafi 1 nënparagrafi 1.11 lidhur me nenet 28 dhe 29 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa i akuzuari i tretë B. B., në kohën dhe datën e njëjtë sulmon të dëmtuarit, me çka ka kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje, nga neni 190 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Trupi gjykues ka vendosur që ndaj të akuzuarit F. M. i dënuar me 25 vite burgim dhe të akuzuarit R. M. i dënuar me 13 vite e 6 muaj burgim të i vazhdohet paraburgimi, derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimet e shqiptuara.
Ndërsa ndaj të akuzuarit B. B. i dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim, të i ndërpritet paraburgimi dhe i njëjti të lirohet me datë 15.07.2015.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit.