Decentralizimi i gjykatave i domosdoshëm

Decentralizimi i gjykatave i domosdoshëm

DURRËS – Krerët më të lartë të gjyqësorit të Kosovës kanë marr pjesë në konferencën me temë “Rishikimi, analizë dhe raportimi mbi procesin e arritur të punës së gjyqësorit gjatë vitit 2014 dhe angazhimet e planifikuara për vitin 2015”.

 

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Enver Peci, tha se gjatë mbajtjes së kësaj konference janë identifikuar aspektet dhe sfidat me procesin e decentralizimit të gjykatave, një proces i cili pritet të ndodh së shpejti.

 

“Konkluzionet e konferencës kenë të qarta që decentralizimi duhet të ndodh, është i nevojshëm dhe i ndihmon gjykatave në rritje të përformancës. U konstatua nevoja e llogaridhënies në kuptimin dhe forcimin e kapaciteteve të Zyrës Prokurorit Disiplinor (ZPD), në kuptimin e adresimit të rasteve në mënyrë më profesionale dhe me të drejtë. Po ashtu u propozuan edhe temat e ardhshme që duhet me u rishikuar apo proceset që duhet të ishin më të arsyeshme prej Njësitit për Shqyrtimin e  Përformancës së Gjyqësorit (NjShPGj) në të ardhmen. Në të njëjtën kohë u bisedua për sfidat me të cilat po përballet gjyqësori, siç është numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve me raste të grumbulluara nëpër gjykata dhe parashihet nevoja të ketë takime edhe më të shpeshta se sa kjo njëvjetore. Në përgjithësi e konsideroj si një aktivitet mjaft të rëndësishëm për shkak se të gjithë akterët e gjyqësorit kanë pasur mundësi lirshëm të shprehin atë çka i brengos dhe nevojat e tyre.”, tha Kryesuesi Z. Peci.

 

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani tha se fokus në këtë konferencë ka qenë decentralizimi i gjyqësorit të Kosovës, një proces që ka filluar dhe duhet të vazhdoj edhe në të ardhmen.

 

“Tema aktuale ishte decentralizimi e cila është preokupim i joni, sepse ne kemi kërkuar që të autorizohen gjykatat, që të merren me çështje punësimi, disiplinimi e personelit ndihmës edhe për çështjet buxhetore të përditshme të gjykatave. Me insistimin tonë dhe faktorit ndërkombëtar ka filluar tashmë ky proces dhe fokusi i kësaj teme ishte decentralizimi. Nga kjo konferencë u dakordua të vazhdohet me grupe punuese të përmbylljes së këtij procesi normativ, të cilat janë të domosdoshme për të përfunduar procesi i decentralizimit. Besoj se konferenca ka qenë e suksesshme, për faktin se janë debatuar çështjet aktuale që e preokupojnë gjyqësorin në vitin që po hyjmë 2015”, tha Kryetari Z. Hasani.

 

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Zyhdi Haziri ka përmendur të arriturat e Gjykatës Themelore të Gjilanit.

 

“Sa i përket të arriturave në Gjykatën Themelore të Gjilanit kemi shënuar të arritura të mëdha. Deri më tash kemi kryer rreth 8500 lëndë më shumë, se sa që kanë ardhur. Ky është një rezultat i gjyqtarëve të Gjilanit dhe stafit administrativ në punën e përditshme dhe po besoj që vitin e ardhshëm do të kemi rezultate edhe më të mira. Unë po besoj se si menaxher i gjykatës decentralizimi do të ketë efektin e vet, sepse deri më tash kemi qenë të centralizuar dhe shumë projekte nuk kemi mundur të i realizojmë, për shkak se është dashur të merret pëlqimi nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës”, tha kryetari Z. Haziri.

 

Konferenca është tradicionale dhe organizohet për çdo vit me iniciativë të Njësisë së Shqyrtimit të Përformancës së Gjyqësorit.

 

Në këtë konferencë dy ditore të mbajtur në Durrës të Shqipërisë, kanë marr pjesë krerët më të lartë të gjyqësorit, administratorët e gjykatave dhe një pjesë e stafit të Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës