GJILAN – Një gjyqtar i procedurës paraprake i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka urdhëruar mbajtjen në arrest shtëpiak për të pandehurin R. Latifaj, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
I pandehuri R. Latifaj, shqiptarë, shtetas të Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I pandehuri dyshohet se gjatë periudhës kohore 2013/2014, në cilësinë e personit zyrtar – Shefit të Inspeksionit në Komunën e Kamenicës, në vazhdimësi, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, duke i ndihmuar në forma të ndryshme kompanitë që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit në këtë komunë.
Gjithashtu i pandehuri duke komunikuar, ndihmuar, dhënë instruksione për eksploatimin ilegal dhe udhëzuar pronarët e disa kompanive që të pajisjen me dokumente doganore si mbulesë për veprimtaritë e tyre ilegale, e të cilat veprimtari janë në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, me nr. 02/45, të datës 02.11.2011, i cili vendim ndalon në tërësi veprimtaritë e të gjithë operatorëve që nuk janë të licencuar.
Arresti shtëpiak ndaj të pandehurit do të zgjasë nga data 24.09.2014 deri më datën 23.10.2014.
I pandehuri në procedurë penale gëzon të drejtën e kontestimit të urdhrit për arrest shtëpiak të nxjerrë nga gjyqtari i procedurës paraprake.