Shqiptohet dënimi ndaj të akuzuarit B. Vokshi

Shqiptohet dënimi ndaj të akuzuarit B. Vokshi

GJILAN – Një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka shqiptuar dënimin ndaj të akuzuarit B. Vokshi në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj burgim.

 

Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari, Afrim Shala ka shqiptuar dënimin, pasi që i njëjti kishte pranuar fajësinë, sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe ishte penduar thellë për kryerjen e kësaj vepre penale.  

 

Gjykata gjeti se i akuzuari B. Vokshi, shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, me vendbanim në Komunën e Kamenicës, ka kryer veprën penale, marrje e ryshfetit nga neni 343 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës (KPK). Pasi i njëjtit me datë 27.07.2012, në ora 17:40 minuta, në fshatin Hogosht Komuna e Kamenicës, në pozitën e personit zyrtar – teknik i pylltarisë në Drejtorin për Bujqësi në Kamenicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurore për vete, me dashje merr ryshfet për ta kryer në kuadër të autorizimeve të tij, një veprim zyrtar apo një veprim tjetër të cilin ai nuk duhej ta kryente, në atë mënyrë që i akuzuari kishte kërkuar 500 (pesëqind) Euro nga i dëmtuari A. K., që t’ia rregullonte dokumentacionin dhe të bëjë damkosjen e 100 metra kub dru, në malin i cili nuk ishte në pronësi të dëmtuarit – thuhet në njoftim të Gjykatës Themelore në Gjilan.