Dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 500 euro gjobë

Dënohet me 6 muaj burg efektiv dhe 500 euro gjobë

GJILAN – Gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, Afrim Shala, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, në çështjen penale ndaj të pandehurit N. Kolgeci, shqipton dënimin në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muaj burg efektiv dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) euro, të cilat dënime do të ekzekutohen në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga data kur ky aktgjykim bëhet i formës së prerë.

 

I pandehuri N. Kolgeci, shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, ka pranuar se ka kryer veprën penale, përvetësimi në detyrë, nga neni 425, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

 

I pandehuri N. Kolgeci është shpallur fajtor, sepse me datën 02.08.2013, deri më datën 27.01.2014, në Gjykatën Themelore në Prizren-Dega Suharekë, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, përvetëson pasurinë e cila i është besuar për shkak të detyrës-pozitës së tij, në atë mënyrë që ka përvetësuar mjetet-paratë nga palët që kanë bërë pagesa në vlerë deri në 5 (pesë) euro, ashtu që këto mjete i ka përvetësuar për vete, me ç’rast Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 14.112 euro, e të cilat mjete më datën 18.02.2014, i janë rimburësuar KGJK-së.

 

Të pandehurit koha e kaluar prej një muaj në paraburgim do të i llogaritet në dënimin e shqiptuar.